Postuar më: 18/04/2018

Peleshi: Do të ndjek personalisht çdo projekt ide në bujqësi dhe agropërpunim

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi në vazhdim të takimeve informuese me shoqata dhe organizata fermerësh dhe agropërpunuesish në vend, ka pritur në ambientet e ministrisë, antëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të interesuar në programin IPARD. Takimet shërbejnë si një urë komunikimi midis institucioneve qendrore, shoqatave dhe anëtarëve të tyre, të cilët do të jenë përfituesit konkretë të kësaj skeme. Siç dihet bujqësia është një sektor me potencial të madh dhe burimi kryesor i të ardhurave për pjesën dërmuese të zonave rurale.

Gjatë takimit ministri Peleshi u angazhua personalisht për të ndjekur nga afër çdo interesim, me qëllim kthimin e besimit për të gjithë aktorët pjesëmarrës për aplikimet dhe përfitimet nga këto skema.

“Unë personalisht do të hap një dosje për secilin prej jush, në kuptimin që do të ndjek se si do të shkojë fati i një “projekt –ideje”, të shprehur sot këtu dhe deri në fund. Këtë, ua kërkoj dy zëvendësministrave, edhe Dhimos, që do t’ju asistojë për pjesën profesionale, por edhe Ilirit, që do ta ndjekë si proçedurë, si aplikim, deri në fund, padyshim, pastaj edhe drejtorja e AZHBR –së, që e ka dhe për detyrë funksionale, të sigurojë një vlerësim sa më të mirë, sa më transparent, sa më në kohë, pa vonesa për të gjitha aplikimet.”