Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural » Peleshi: Eksportet drejt Bashkimit Europian, vetëm në tre mujorin e parë janë rritur me 26%
Postuar më: 14/06/2018

Peleshi: Eksportet drejt Bashkimit Europian, vetëm në tre mujorin e parë janë rritur me 26%

Gjatë vizitës në qarkun e Durrësit, në zonën e Shënvlashit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi është ndalur në një fermë, që sipas tij është modeli i fermës shqiptare, sepse operon nën konceptin “contract farming”, ku fermerët, grumbulluesi dhe eksportuesi në marrëveshje mes tyre kanë të garantuar shitjen e produkteve që në momentin e mbjelljes. Ky lloj modeli orienton mbjelljet sipas nevojave të tregut. Në rastin konkret dhjetëra fermerë të zonës së Shënvlashit janë duke eksportuar shaqlinin në Suedi, në Estoni, në Itali, në Poloni, në Zvicër, në Hungari etj.
“Ky është modeli i fermës shqiptare, që ne duam ta përhapim në gjithë Shqipërinë, kur flasim për kooperim.”
Duke u ndalur në prodhimin shqiptar ministri Peleshi ka theksuar se ai është brenda normave dhe standardeve dhe që kerkohet dhe pranohet nga tregjet si ato shqiptare dhe nga ato evropiane, madje me çmime shumë të mira.
Për ministrin, i nevojshëm është ndërgjegjësimi i fermerëve shqiptarë, për të rritur cilësinë, sigurinë ushqimore, por dhe në mbrojtje të imazhit të bujqësisë shqiptare. Eksportet janë përgjigja më e mirë, vetëm në tre mujorin e parë të 2018 eksportet drejt vendeve të BE-së janë rritur me 26 %.
“Nuk është e vërtetë që të gjithë fermerët tanë përdorin metoda apo substanca të palejuara, natyrisht kudo dhe në gjithë botën ka raste të tilla, por prodhimi shqiptar nuk është një prodhim, që nuk pranohet nga tregu evropian. Përkundrazi, pranohet me çmim gjithnjë e më të mirë, shumë konkurrues dhe pa reklamime apo me shumë pak reklamime.
Nga ana tjetër të rrisin ndërgjegjësimin dhe format e reja të bujqësisë shqiptare. Të rritim cilësinë, të rritim sigurinë ushqimore, por dhe ta mbrojmë imazhin e bujqësisë shqiptare, sepse nuk është ashtu siç reklamohet. Nuk janë prodhimet tona “delja e zezë” e prodhimeve të tregut evropian. E kundërta është e vërtetë. Vetëm vitin e kaluar eksportet tona drejt tregjeve të Bashkimit Evropian, janë rritur me 26 %. “Ka përfunduar ministri Peleshi.