Postuar më: 08/10/2018

Peleshi: Kooperimi ndërmjet fermerëve është zgjidhja për fuqizimin e bujqësisë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka zhvilluar një vizitë në një prej kompanive më të mëdha në vend e specializuar në inpute, shitje me shumicë dhe import/eksport të frutave dhe perimeve të freskëta. Kjo kompani kryen sot eksporte në Kosovë, Serbi, Bullgari, Mali i Zi, Lituani etj, dhe mbulon pjesën më të madhe të tregut shqiptar.
Kompania ka ngritur një strukturë të re të prodhimit të fidanëve në Maminas, të qarkut të Durrësit. Investimi prej 1 milion dollarësh, me 9.000 m² dhe me një kapacitet prodhues prej 10 milionë fidanë në vit, është më i madhi në Shqipëri. Serra është tërësisht e kompjuterizuar me kontrollin automatik të temperaturës, lagështisë, plehrave dhe përdorimin e ujit etj. Për ministrin Peleshi kjo kompani është modeli që kërkon të përhapë dhe të promovojë sot qeveria shqiptare që është “ferma me kontratë”.

“Është një kompani, që dua ta veçoj edhe sepse i shkon shumë afër modelit, që duam të përhapim dhe të mbështesim që quhet “ferma me kontratë”. Pra, ideja është që pikat grumbullimit të vendit tonë të jenë dhe aktorë shumë të rëndësishëm, për të nxitur atë që ne dimë në fakt, por më kollaj të thuhet, sesa të zbatohet, kooperimin ndërmjet fermerëve. ”

Ministri ka përmendur gjithashtu dhe masën e parashikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes Financiare për rimbursimin deri në 50 % të vlerës së fidanit, në qoftë se fermeri e blen fidanin që porosit tek grumbulluesi. Kjo masë synon fokusimin e fermerëve drejt prodhimit dhe shitjen e garantuar nga pikat e grumbullimit, të cila sa vijnë dhe shtohen dhe falë mbështetjes së qeverisë. Pra, duke bërë një ndarje të qartë të hallakave të zinxhirit të vlerës dhe duke i mbështetur këto hallka në gjithë gjatësinë e zinxhirit, mendohet se bujqësia shqiptare të ngrihet në një nivel tjetër.